Përgatiti: Dr. Holta Lici

Si duhet ta ushqeni fëmijën tuaj në 6 muajt e parë të jetës?

Ushqyerja me gji është mënyra më e mirë për të plotësuar nevojat ushqimore të fëmijës. Ushqimi më i shëndetshëm dhe më i sigurt për fëmijën është qumështi i gjirit. Sa më gjatë nëna ta ushqejë me gji fëmijën, aq më të mëdha janë përfitimet shëndetësore si për fëmijën ashtu edhe për nënën. Gratë që kanë ushqyer fëmijën me gji kanë rrezik më të ulët të zhvillimit të kancerit të gjirit. Gjithashtu ushqyerja me gji ul rrezikun për të zhvilluar sëmundje të zemrës, tension të lartë të gjakut dhe diabet si te nëna ashtu edhe te fëmija.

Qumështi i gjirit përmban imunoglobulina (trupa mbrojtëse), për këtë arsye foshnjat që ushqehen me të preken më pak nga ftohjet, diarreja, alergjitë, etj. Ushqyerja me gji ndihmon në parandalimin e ‘Sindromës së Vdekjes së Papritur’. Gjithashtu ul rrezikun për të zhvilluar obezitet tek fëmija. Në pamundësi të ushqyerjes me gji të fëmijës, këshillohuni me mjekun për mundësinë e fillimit të ushqimit plotësues.

Si ta kuptoni që fëmija juaj ka pirë mjaftueshëm?

Foshnja e vogël përpiqet që nëpërmjet gjesteve që bën, apo të qarës të na tregojë nevojat e saj. Një vëzhgim i kujdesshëm nga ana e nënës së bashku me mjekun pediatër ndihmon që të kuptohen këto nevoja dhe t’u përgjigjeni atyre.

Fëmija juaj ka pirë mjaftueshëm dhe duket i ngopur nëse:

  • Fëmija juaj po ushqehet të paktën 6 – 8 herë në ditë;
  • Gjinjtë tuaj janë më të butë pasi ushqeni bebin;
  • Fëmija sa vjen dhe urinon më shpesh;
  • Është i qetë, e zë gjumi;
  • Nuk thith më duart e tij/saj.

Fëmija juaj është i uritur nëse:

  • Fëmija nuk rimerr peshën e lindjes Brenda 14 ditëve të para të jetës;
  • Gjinjtë tuaj nuk ndihen më të butë pas ushqyerjes;
  • Fëmija fut duart në gojë dhe i thith ato;
  • Afron kokën në drejtim të gjoksit apo shishes së qumështit;
  • Grindet dhe nuk duket i lumtur.

Ushqyerja me gji në mënyrë efikase

Cilido që të jetë pozicioni në të cilin do të qëndroni, kujdesuni që foshnja të jetë e mirë vendosur dhe të mos i duhet të kthejë kokën për të pirë gji. Në gojën e foshnjës nuk duhet të futni vetëm majën e gjirit, por edhe një pjesë të lëkurës që e rrethon atë (zona me ngjyrë). Buzët e bebes të jenë të përveshura nga jashtë rreth gjirit. Sigurohuni që gjatë thithjes të mos ketë hapësira boshe nëpërmjet të cilave foshnja mund të thithë edhe ajër, i cili grumbullohet dhe favorizon krijimin e kolikave foshnjore. Do të vëreni që tëmthat e bebes lëvizin me ritmin e thithjes, ndërsa kur gëlltitet, do të vëreni lëvizjet pas veshit.

Çfarë duhet të bëj nëse foshnjën e zë lemza?

Asgjë… Lemza është e shpeshtë te foshnjat, por aspak shqetësuese. Ndodh kur foshnja pi me rrëmbim dhe thith ajër. Fryhet stomaku duke stimuluar diafragmën e cila kontraktohet dhe dridhjet e glotës shkaktojnë këtë tingull karakteristik. Për të shmangur lemzën bëni disa ndalesa gjatë ushqyerjes me gji. Nëse lemza shoqërohet me shenja të tjera (nxjerrja e ushqimit me presion, shtrëngime) këshillohuni me mjekun.

Marrëdhënia nënë – fëmijë, gjatë periudhës së ushqyerjes me gji

Që nga çasti i lindjes fëmija mbart një sërë emocionesh dhe sjelljesh të cilat do të zhvillohen me kalimin e javëve. Një lidhje shumë e fortë do të krijohet mes jush dhe fëmijës suaj. Ju do të mësoni të kuptoni njëri – tjetrin duke përdorur mënyrat e komunikimit: gjeste, shikime, buzëqeshje. Nënat që i kanë ushqyer foshnjat e tyre me qumështin e gjirit pranojnë lidhjen e ngushtë që krijohet mes nënës dhe foshnjës së porsalindur. Kontaktet e lëkurës, përkëdheljet, shikimet, i japin vlerë lidhjes nënë – fëmijë, jo vetëm tek nënat që i ushqejnë foshnjat me gji, por edhe tek ato që i ushqejnë me qumështin e formulës.

Duke uruar që ky shkrim t'ju ketë ndihmuar sadopak, nëse keni ende pyetje specifike, atëherë ju ftojmë të konsultoheni me mjektët tanë specialistë.

Ata janë në shërbimin tuaj 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit si pjesë e shërbimit tonë me konsulta mjeksore nëpërmjet telefonit dhe video-telefonatave, për ju dhe familjen tuaj.

TeleDoc është shërbimi lider për telemjeksinë në Shqipëri, që me një pagesë të përballueshme vjetore ju vjen në ndihmë kudo dhe kurdo nëpërmjet telefonit dhe video-telefonatave.

Si mund ta përfitoni: