Përgatiti: Dr. Valbona Shahinaj, pediatre

Fëmijët janë qeniet njerëzore më të brishtë dhe si të tillë duhen trajtuar me shumë kujdes. Fakti që janë fëmijë nuk do të thotë se ata nuk kuptojnë, ata kuptojnë shumë mirë për çka po ndodh rreth e rrotull prandaj ne duhet t'ua shpjegojmë saktë që ata mos të kenë perceptime të gabuara për atë që po ndodh.

Sigurisht që këto biseda me fëmijët ne duhet t'i bëjmë duke llogaritur edhe moshën e tyre. Nëse fëmijët janë të moshës 0-3 vjeç perceptimi i tyre për tërmetin është pothuajse i papërfillshëm dhe ata reagojnë vetëm pas reagimeve të prindërve, pra nëse prindi shfaqet i nervozuar apo me ankth ata do fillojnë të qajnë apo shfaqin frikë.

Më pas fillon mosha 4 vjeç dhe më të rritur, mosha në shkollë, fëmijët në shkollën fillore. Në këtë moshë ata fillojnë të kuptojnë disi më shumë, fillojnë të ndiejnë frikë dhe kanë emocione e ndjenja të ndryshme rreth tërmeteve. Në këtë moment ne duhet të ulemi me fëmijët tanë dhe të fillojmë të flasim me ta për këtë dukuri natyrore, që ndodh shpesh dhe është pa probleme në shumicën e rasteve. Ne duhet t'u japim siguri së pari por këtë nuk duhet ta bëjmë vetëm me fjalë por edhe me vepra, pra nuk duhet vetëm t'u themi që nuk ka asgjë nga tërmeti por edhe në momentin që bie tërmeti duhet të jemi të qetë, ta marrim situatën me qetësi sepse fiks në atë moment fëmija i kthen sytë te ne dhe nëse qajmë, bërtasim, vrapojmë pa kuptim, fëmijët do të tremben më shumë.

Përveç bisedës me fëmijët rreth tërmeteve, ne duhet edhe të dalim me ta, të aktivizohemi më shumë me ta për të tërhequr vëmendjen e tyre dhe ata të shkëputen disi nga realiteti i tërmeteve sidomos i ditëve të fundit. Është detyra jonë të jemi të qetë dhe të përmbajtur për fëmijët tanë, për të mos pësuar ata ndonjë traumë sado të vogël, sepse më vonë bëhet e madhe.

Fëmijët që janë më të rritur apo adoleshentët sërish duhet të ndihmohen nga prindërit por me delikatesën që i takon kësaj moshe. Ata tashmë e dinë çfarë janë tërmetet dhe nuk është e nevojshme t'u flasim për këtë dukuri natyrore por mund t'i qetësojmë duke u thënë se është situatë kalimtare dhe shtëpitë tona janë të sigurta.

Themelore është që ne të përcjellim siguri te fëmijët tanë të cilësdo moshe të jenë ata sepse kryesisht për për siguri kanë nevojë.

Mirë është që stacionet televizive dhe interneti të shihen me pak ose të paktën emisionet që janë për viktimat, të prekurit dhe fatkeqët e tërmetit të mos ndiqen në prani të fëmijëve sepse edhe nëse duket se ata nuk e kanë mendjen të jeni të sigurt se veshin dhe bishtin e syrit e kanë te ne, prindërit.

Këto janë disa këshilla të thjeshta për të trajtuar fëmijët në këto ditë të vështira që po kalojmë.

Sigurisht që ndryshe është situata për fëmijët që shtëpitë e tyre janë prekur, për ata që flenë në çadra apo makina. Në këto raste më e mira është që të bëjmë sikur jemi në kamping edhe pse kjo është tejet e vështirë.

Nëse fëmija shfaq shenja të tjera si të qara të shumta të shoqëruara me të vjella, pagjumësi, anoreksi atëherë duhet të drejtohemi menjëherë te specialisti i shëndetit mendor pa e lënë situatën të agravohet më tej.

Duke uruar që ky shkrim t'ju ketë ndihmuar sadopak, nëse keni ende pyetje specifike, atëherë ju ftojmë të konsultoheni me mjektët tanë specialistë.

Ata janë në shërbimin tuaj 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit si pjesë e shërbimit tonë me konsulta mjeksore nëpërmjet telefonit dhe video-telefonatave, për ju dhe familjen tuaj.

TeleDoc është shërbimi lider për telemjeksinë në Shqipëri, që me një pagesë të përballueshme vjetore ju vjen në ndihmë kudo dhe kurdo nëpërmjet telefonit dhe video-telefonatave.

Si mund ta përfitoni: